Leonard Abazi po vazhdon të konfirmohet si një nga emrat më premtues të boksit shqiptar. Boksieri 20-vjeçar nga Tetova shtoi edhe një tjetër fitore në karrierën e tij profesionale, duke triumfuar mbrëmë në Leverkusen të Gjermanisë.
Në eventin e organizuar nga klubi No Limit Boxing, nën drejtimin e trajnerit të njohur Bekim Hoxhaj, i njohuri si “Princi i Tetovës” nuk i la hapësirë surprizës ndaj gjeorgjianit Ruben Vladimiroviç Movsesjan. Përballë një kundërshtari shumë më me përvojë 34 vjeç dhe me 46 meçe profesionale Abazi demonstroi qetësi, forcë dhe kontroll të plotë të duelit.

Pas dy raundeve ku diktoi ritmin, momenti vendimtar erdhi në raundin e tretë, kur një seri goditjesh të sakta dhe të fuqishme e detyruan Movsesjanin të dorëzohet, duke i sjellë Abazit fitoren me nokaut.
Ky sukses shënon fitoren e shtatë radhazi për boksierin tetovar dhe të pestën me nokaut, duke e mbajtur bilancin e tij të paprekur në boksin profesionist dhe duke rritur edhe më shumë pritshmëritë për të ardhmen e tij në ring.

