Përplasja mes Lumir Abdixhikut dhe Albin Kurtit në Kosovë arriti pikun e saj mesditën e së hënës, teksa të dy palët sinjalizuan se një marëveshje mes LDK-së dhe Vetëvendosjes për çështjen e presidentit duket tashmë e mbyllur.
I pari që “i vuri vizën” ishte Abdixhiku. Pas takimit, ai foli hapur dhe tha LDK nuk mund të bëjë më shumë. Abdixhiku i la topin në derë Kurtit, duke e akuzuar se nuk ka ofruar alternativa reale për postin e presidentit dhe se LDK nuk mund të pranojë një president që kontrollohet nga qeveria.

“Presidenti i Kosovës nuk mund të jetë zgjatim i qeverisë. S’mund të ketë qeveri që të ketë të tre institucionet. U përpoqa, provova dhe nuk arrita fatkeqësisht. Tani do t’i kthehem misionit të bashkimit të së djathtës. Kurti insistonte që pozita e presidentit t’i mbetet Vetevendosjes. Unë besoj që me kaq në këto rrethana LDK nuk mund të bëjë më shumë. E lë të hapur për partitë e tjera, kemi bërë përpjekje për 53 ditë. Nga ky moment LDK e konsideron të përmbyllur këtë çështje. U dakorduam që të mos takohemi më”, tha ai.
Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, 28 prilli është afati i fundit për zgjedhjen e presidentit. Nëse kjo nuk ndodh, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të parakohshme.
Detyra e presidentit po ushtrohet përkohësisht nga Albulena Haxhiu, pasi më 4 prill Vjosa Osmani dorëzoi funksionin.

