Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar sërish lidhur me procesin penal ndaj tij, duke e cilësuar çështjen me motive politike. Me anë të një postimi të gjatë në Facebook, Meta ka kërkuar transparencë të plotë mbi procedurat hetimore dhe provat e administruara nga organet e drejtësisë.
Meta deklaron se fokusi duhet të jetë te “legjitimiteti dhe transparenca e procesit”, të cilat sipas tij janë në interes publik dhe demokratik.
Ish-presidenti i Republikës pretendon se prej vitesh ndaj tij është zhvilluar një hetim i motivuar politikisht, ndërsa akuzat për korrupsion dhe pastrim parash i konsideron të pabazuara dhe të pambështetura në prova konkrete.
Reagimi i Metës:
Çështja Meta: Transparenca dhe legjitimiteti është interes publik dhe demokratik
Që farsa kundër Ilir Metës është një operacion i mirëfilltë kriminal mediatiko-ligjor i orkestruar vetëm për qëllime politike me synim gjymtimin e pluralizmit politik dhe interesave kombëtare, kjo është shumë e qartë.
Por tani është koha të fokusohemi te transparenca dhe legjitimiteti i procesit, si interes publik dhe demokratik.
Provokimi terrorist i rrëmbimit të kryer 20 muaj më parë, më 21 tetor 2024, pasi opinioni publik ishte helmuar me një propogandë të shfrenuar për gati 20 vite, synonte të fshihte të vërtetën e madhe se edhe pse veprimet hetimore zyrtarisht kundër Ilir Metës kishin nisur procedurialisht që në vitin 2018, duke marrë persona në pyetje për Ilir Metën që ishte President i Republikës, kishte qenë e pamundur të provohej edhe një kundravajtje administrative apo penale, e jo më vepra të tilla si korrupsioni apo pastrimi i parave.
Por debati u përqëndrua te rrëmbimi si për të fshehur dështimin e prokurorëve specialë për të gjetur qoftë edhe një akt të parregullt administrativ të Ilir Metës që nga viti 1992 ashtu edhe pamundësinë për të justifikuar sekuestrimin e një qindarke të paligjshme apo një metër katror pasuri të paluajtshme të pajustifikuar.
Madje rrëmbimi ndodhi pa akuzë formale, por si person nën hetim i dyshuar për disa vepra penale sipas tyre.
U hap edhe alibia se prokurorët ishin “mërzitur” me banditin Ilir Proda për mënyrën e arrestimit, pra rrëmbimit, por në 23 tetor 2024, kur u pyetën nga Gjyqtari Erion Çela se si ishte kryer arrestimi, ata përmes Z. Arben Kraja u përgjigjën: “Sipas ligjit”.
Ndërkohë, një nga akuzat kryesore të pretenduara ishte ajo e lobimit të paligjshëm me “McKeon Group”, që u plasua në ballinën e revistës sorosiste “Mother Jones”, që në vitin 2018 dhe u rifreskua me bujë 4 vite më vonë në ballin e bulevardeskes austriake “Kronen Zeitung”.

