Shqipëria ka marrë dritën jeshile për miratimin e IBAR. COELA, grupi i punës për zgjerim në Këshillin e BE-së miratoi qëndrimin e përbashët të 27 vendeve anëtare, që pritet të kalojë të premten në mbledhjen e ambasadorëve. Opozita artikulonte bllokimin e negociataveBRUKSEL– Grupin e punës për Zgjerimin, COELA i ka dhënë dritën jeshile IBAR-it, raporti i Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme për progresin e deritanishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për një draft të përbashkët, i cili pritet të kalojë nesër në COREPER, mbledhja e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së.
Drafti i përbashkët u miratua pas gati 3 muajsh diskutimesh dhe negociatash mes Këshillit dhe Komisionit Evropian, i cili kishte dhënë për Shqipërinë një vlerësim pozitiv.
Ishte Taulant Balla, kreu i grupit të PS që njoftoi fillimisht nga oborri i Kuvendit, se Shqipëria më në fund, kaloi një prej fazave më të rëndësishme në procesin e integrimit, IBAR, piketat e ndërmjetme. Balla tha se vendi po mbyll një javë të rëndësishme për procesin e integrimit europian.
“Jemi në përmbyllje të një jave brenda së cilës BE, në respekt të procedurave burokratike, kalon nga grupi i punës te Komiteti i Përfaqësuesve nesër, ku në njëfarë mënyre miratohet gjithë ajo punë kolosale e bërë nga shumë institucione shtetërore të përfshira në këtë proces të adresimit të piketave të ndërmjetme”, tha Balla.
Miratimi i Pozicionit të Përbashkët në COELA konfirmohet për Report Tv edhe nga burime brenda Këshillit të BE.
“Në të vërtetë, një marrëveshje u arrit më herët këtë mëngjes. Dosja tani do t’u kalojë ambasadorëve të BE-së (COREPER) për miratim nesër pasdite”, i tha një burim Report Tv.
Pas kalimit në COREPER, hapi i radhës do të jetë Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, që do të mbahet më 26 maj, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama. Kjo konsiderohet një nga fazat më të rëndësishme të procesit të negociatave, e cila i hap rrugë avancimit të mëtejshëm të Shqipërisë në mbylljen e kapitujve.
Në fund të muajit shkurt Komisioni Europian i dorëzoi vendeve anëtare raportin mbi ecurinë e Shqipëri në plotësimin e atyre që quhen piketat e ndërmjetme e që përfshijnë fusha delikate si sundimi i Ligjit e drejtësia. Për Komisionin Europian vlerësimi ishte pozitiv. Deri më tani mes vendeve anëtare, të përfaqësuara në Grupin e punës për Zgjerimin, COELA, janë zhvilluar disa takime. Një proces i cili zgjoi në Shqipëri dilema dhe hamendësime, sidomos nga opozita, për ngecje apo deri dhe ngrirje të procesit të anëtarësimit, kryesisht lidhur me refuzimin e SPAK për arrestimin e ish-numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku.
Shqipëria hapi në një kohë rekord të gjithë grupkapitujt e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian. Miratimi i IBAR-it është pengesa e radhës për t’u kapërcyer, në mënyrë që procesi i negociatave të hyjë në fazën e mbylljes së grupkapitujve

