TIRANË -Në Gjykatën e Posaçme ka nisur gjyqi në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta në Gjykatën e Posaçme. Meta u paraqitet në sallën e GJKKO duke përshëndetur simpatizantët më parë dhe duke bërë shqiponjën dykrenare me 2 duar.
Kreu i Partisë së Lirisë i ka kërkuar GJKKO-së që seancat gjyqësore ndaj tij, të transmetohen live për mediat. Në fillim të seancës GJKKO pritet të marrë vendim mbi kërkesën e Metës specifikisht për transmetimin live të seancës.
Ilir Meta ndodhet në paraburgim prej tetorit të vitit 2024, dhe SPAK e ka marrë të pandehur për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, lidhur me aferën Cez-Dia dhe lobimin e LSI-së në SHBA. E pandehur është edhe ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, ndaj të cilës ka masë detyrim paraqitje.
Sipas Prokurorisë së Posaçme Meta dhe Kryemadhi përdorën një sërë skemash korruptive, influencën dhe pushtetin e tyre politik me qëllim favorizimin e bizneseve të caktuara kundrejt shpërblimit të marrë apo të premtuar, për të pastruar paratë e korrupsioni dhe fshehën pasuri e nuk deklaruan shpenzime të konsiderueshme. Kur çështja u kalua për gjykim më 18 mars të këtij viti, Meta dhe Kryemadhi kërkuan pushimin e çështjes, me argumentin se nuk ekziston vepër penale, ose në alternative, rikthimin për hetime të mëtejshme.

