Një tërmet me magnitudë 5.6 ballë të shkallës Rihter ka goditur mëngjesin e sotëm rajonin e Malatya në lindje të Turqisë, sipas njoftimit zyrtar të Agjencisë Turke të Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).
Sipas të dhënave paraprake, epiqendra e tërmetit është regjistruar në zonën Batalgazi të Malatya-s, ndërsa lëkundjet kanë ndodhur rreth orës 09:00 të mëngjesit. Tërmeti ka pasur një thellësi fokale prej 7.03 kilometrash, çka e bën atë relativisht të cekët dhe të ndjeshëm në sipërfaqe.
Lëkundjet janë ndjerë edhe në provincat fqinje, përfshirë Kahramanmaraş dhe Diyarbakır, duke shkaktuar shqetësim tek banorët dhe duke i nxjerrë shumë prej tyre në rrugë për disa minuta pas tërmetit.
Deri tani, autoritetet turke nuk kanë raportuar viktima apo dëme serioze materiale. Ekipet e emergjencës janë në terren dhe po kryejnë kontrolle në zonat e prekura për të verifikuar situatën.

Ndërkohë, guvernatori i Malatya-s, Seddar Yavuz, njoftoi se mësimi në shkolla është pezulluar për një ditë në të gjithë provincën.

