Një superjaht luksoz i lidhur me një nga aleatët më të afërt të presidentit rus Vladimir Putin ka kaluar së fundmi nëpër Ngushticën e Hormuzit, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme dhe shmangies së kësaj rruge nga shumica e anijeve private.
Bëhet fjalë për jahtin 142 metra të gjatë “Nord”, i lidhur me miliarderin rus të sanksionuar Alexei Mordashov. Sipas të dhënave nga platforma detare Marine Traffic, jahti u nis nga Dubai të premten në mbrëmje dhe mbërriti të dielën në mëngjes në marinën Al Mouj, në kryeqytetin e Omanit, Muscat.

Edhe pse Mordashov nuk figuron zyrtarisht si pronar i jahtit, dokumentacionet tregojnë se anija është regjistruar në vitin 2022 në emër të një kompanie në pronësi të bashkëshortes së tij, duke forcuar dyshimet për lidhjen e tij me këtë pasuri luksoze.
Kalimi i jahtit me flamur rus përmes kësaj rruge të ndjeshme ndodh në një moment delikat diplomatik. Negociatat mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara për arritjen e një marrëveshjeje paqeje mbeten të bllokuara, ndërsa Teherani ka intensifikuar përpjekjet për të forcuar marrëdhëniet me Moskën.
Në këtë kuadër, presidenti Putin priti të hënën në Shën Petersburg një delegacion iranian të nivelit të lartë. Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, vlerësoi atë që e quajti një “marrëdhënie strategjike” mes dy vendeve, duke sinjalizuar afrimin e mëtejshëm politik dhe diplomatik mes Rusisë dhe Iranit në një periudhë sfidash globale.

