Edi Rama u kërkon deputetëve të PS të rrisin vëmendjen ndaj qytetarëve të Tiranës dhe nevojave të tyre, për shkak të ngërçit që ka sjellë mungesa e Erion Veliajt në drejtim të bashkisë. Ai mblodhi në selinë rozë deputetët e PS për Tiranën, kryetarët e njësive socialiste si dhe një pjesë të ekipit drejtues të bashkisë.

Mungesa e Erion Veliajt në drejtimin e Bashkisë së Tiranës ka bërë që kryeministri Edi Rama t’ rikthehet vëmendjes së shtuar ndaj punëve të kryeqytetit. Në selinë rozë mblodhi, përreth 1 orë, deputetët e qarkut të Tiranës, kryetarët e njësive të PS-së në kryeqytet dhe një pjesë të drejtuesve të bashkisë.
Rama u ka kërkuar deputetëve dhe strukturave të partisë të jenë më pranë qytetarëve, të dalin në terren, të njihen me problematikat e tyre si edhe të afrojnë më shumë njerëz në parti. Fokusi ka qenë tek mirëadministrimi i punëve të bashkisë në një kohë kur kryetari i bashkisë qëndron në paraburgim prej më shumë se 1 viti, që prej 10 shkurtit të 2025-ës.

