TIRANË- Partia Demokratike i ka mbyllur përfundimisht derën ish-deputetit Ervin Salianji dhe nuk do ta lejojë të futet në garën e 23 majit për kreun e PD, përballë Sali Berishës. Sipas burimeve, ish-deputeti nuk është më anëtar i PD-së dhe për rrjedhojë as nuk mund të kandidojë në garën për kryetar.
“Salianji nuk mund të kandidojë, nuk është më anëtar PD”, thuhet në përgjigjen e sekretarit të përgjithshëm të PD-së Flamur Noka, ndërsa vetë Salianji, një ditë më parë nuk e përjashtoi mundësinë e kandidimit, por me rifreskimin e listave ai është tashmë është jashtë anëtarësisë së PD.
Ervin Salianji shihej si figura më e fortë dhe rival potencial përballë Berishës, të cilin e ka sfiduar edhe përmes foltoreve paralele me demokratët. Por, pengesa e tij është rifreskimi i listave të anëtarësisë së PD-së dhe lënia jashtë e tij pasi Sali Berisha e quajti të vetë-përjashtuar me argumentin se ka shkelur vijat e kuqe duke bashkëpunuar me krimin.

