Në PS u mblodh për më shumë se 2 orë Kryesia, e cila vendosi të thërrasë më 21 mars mbledhjen e ardhshme të Asamblesë Kombëtare. Në përfundim të mbledhjes, Sekretari i Përgjithshëm i PS Blendi Klosi u shpreh se fokusi ishte te zgjedhjet në strukturat bazë, të cilat do të zhvillohen deri në qershor.
2026-a do të jetë një vit zgjedhjesh në degët e Partisë Socialiste në të gjithë vendin dhe për këtë më 21 mars kryetari Edi Rama ka thirrur mbledhjen e Asamblesë Kombëtare.

“Viti në të cilin jemi është viti kalendarik i cili në bazë të Statutit të Partisë Socialiste do të kërkojë një proces zgjedhor në të gjithë strukturën vendore të PS. Ky proces do të fillojë me zgjedhje të kryetarëve të organizatave, do të shkojë në zgjedhjen e forumeve lokale të PS, një proces që tashmë është bërë i çdo 2-vitshëm në PS. Do të përfshijë të gjithë forumet e PS, të zgjedhurit e saj. Natyrisht do të shtrihet në çdo qelizë në të gjithë vendin”, tha Klosi.
Zgjedhjet e brendshme korrespondojnë me 35-vjetorin e Partisë Socialiste dhe 12 qershori do të shënjojë kurorëzimin e të gjithë procesit thotë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste.
Në prononcimin pas mbledhjes së kryesisë në selinë rozë, ku ishte i pranishëm edhe kryetari Rama, Klosi tha se një vëmendje e veçantë në të gjithë procesin e riorganizimit do t’i kushtohet diasporës.

