Përplasje ligjore mes Brad Pitt dhe Angelina Jolie për kantinën prestigjioze Château Miraval vazhdon të marrë zhvillime të reja, ndërsa aktori hollivudian ka siguruar një tjetër fitore në gjykatë.
Sipas mediave amerikane, një gjykatës në Michigan ka vendosur në favor të Pitt në lidhje me dëshminë e një ish-këshilltari ligjor të kompanisë Stoli, grupi që bleu aksionet e Angelina Jolie në biznesin e verës në Francë.
Në qendër të çështjes është Todd Culyba, ish-avokat i kompanisë, i cili gjatë një dëshmie të mëparshme kishte refuzuar t’u përgjigjej dhjetëra pyetjeve, me argumentin se informacionet ishin konfidenciale. Avokatët e Brad Pitt kundërshtuan këtë qëndrim, duke pretenduar se po pengohej zbardhja e plotë e marrëveshjes.
Gjykata vendosi se pjesa më e madhe e pyetjeve lidhej me aspektin tregtar të transaksionit dhe nuk mbrohej nga privilegji avokat-klient. Për këtë arsye, dëshmitari do të duhet të paraqitet sërish dhe të japë përgjigje për çështjet që më parë kishte shmangur.
Mosmarrëveshja mes dy ish-bashkëshortëve nisi pasi Angelina Jolie shiti pjesën e saj të Château Miraval në vitin 2021. Brad Pitt pretendon se shitja u krye pa miratimin e tij, duke shkelur një marrëveshje të mëparshme mes tyre që parashikonte se asnjëri nuk mund të shiste aksionet pa pëlqimin e tjetrit.

