Disa vende evropiane kanë nisur bisedime me Irani për të siguruar kalimin e sigurt të anijeve të tyre nëpër Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.
Lajmi raportohet nga Financial Times, duke cituar zyrtarë të informuar për përpjekjet diplomatike.

Sipas raportimit, iniciativa synon rifillimin e dërgesave të energjisë nga Gjiri Persik pa përshkallëzuar më tej konfliktin në rajon.
Trafiku përmes kësaj ngushtice – nga ku zakonisht kalon rreth një e pesta e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm në botë – ka rënë ndjeshëm pas sulmeve iraniane ndaj tankerëve dhe deklaratave për mbajtjen e ngushticës të mbyllur.
Situata u tensionua më tej pasi udhëheqësi i ri suprem iranian, Mojtaba Khamenei, u zotua se do të mbajë të bllokuar ngushticën.

Përpjekje diplomatike evropiane
Tre zyrtarë të cituar nga “Financial Times”thanë se kryeqytetet evropiane po shqyrtojnë mënyra për rinisjen e eksporteve energjetike, duke përfshirë edhe mundësinë e eskortimit të anijeve nga flotat perëndimore.
Franca është konfirmuar si një nga vendet që po merr pjesë në këto diskutime.
Italia gjithashtu ka tentuar të hapë kanale komunikimi me Teheranin për këtë çështje.

