TIRANË– Shqiptarë nga 38 vende të botës u mblodhën në Tiranë në edicionin e katërt të Samitit të Diasporës, ku u vlerësua roli kyç i tyre jo vetëm në rindërtimin e së ardhmes, por edhe në rrugën drejt integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Duke e quajtur zgjatim të Shqipërisë në botë, kryeministri Edi Rama tha se diaspora sot nuk është më një histori ikjeje e largimi të dhimbshëm, por një histori e shumëfishimit të forcave të kombit shqiptar dhe një urë që rrit kontributin dhe vlerën e Shqipërisë në botë.

“Shqipëria jeton kudo ku shqiptarët mbajnë gjuhën, kujtesën, shpresën kokëfortë dhe ndjenjën e pathyeshme të përkatësisë së tyre kombëtare. Ajo që dikur dukej si hendek, sot është bërë urë. Sot, Diaspora shqiptare nuk është më një histori ikjeje, ajo është një histori e shumëfishimit të forcave të kombit shqiptar dhe vlerës së shtuar të Shqipërisë”, tha Rama.

Shefi i qeverisë u ndal tek transformimi që ka pësuar Shqipëria ndër vite, jo vetëm në zhvillimin ekonomik, por edhe në imazhin e saj në arenën ndërkombëtare. Nga një vend kur nuk dihej ku binte në hartë, sot Shqipëria, tha Rama, është një emër që flet në të gjitha gjuhët e botës. Kryeministri i tha se diasporës, se atdheu i tyre është kthyer në një kantier të madh transformimesh që u bën thirrje për investime dhe nuk kujtohet për ta vetëm për “indulgjencë monetare”.

