Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë një letër përshëndetëse nga presidenti amerikan Donald Trump në përfundim të mandatit të saj.
Në mesazhin e tij, Trump vlerëson bashkëpunimin mes tyre në nismën ndërkombëtare për paqen, duke theksuar se gjatë kësaj periudhe është arritur përparim i rëndësishëm.
Ai nënvizon se angazhimi i Kosovës në kuadër të Bordit të Paqes përbën një hap domethënës drejt forcimit të stabilitetit global dhe promovimit të lirisë e mirëqenies. Sipas tij, kontributi i Osmanit ka lënë një trashëgimi të vlefshme që do të ndikojë jo vetëm në të ardhmen e Kosovës, por edhe në zhvillimet në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë në Evropë. Trump e cilëson atë një partnere të besueshme të Shteteve të Bashkuara dhe shpreh gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit në vitet e ardhshme.
Kemi arritur shumë së bashku në një periudhë të shkurtër kohore-veçanërisht bashkëpunimin tonë në kuadër të Bordit të Paqes. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë nismë të re premtuese do të luajë një rol të jashtëzakonshëm në përfundimin e konflikteve në mbarë botën, duke promovuar njëkohësisht lirinë dhe mirëqenien për të dy popujt tanë. Po lini pas një trashëgimi të rëndësishme që do të formësojë të ardhmen e vendit tuaj, rajonit të Ballkanit, dhe gjithë Evropës. Ju keni qenë gjithmonë një mike dhe partnere e besueshme e Shteteve të Bashkuara, dhe mezi pres vazhdimin e bashkëpunimit tonë në vitet në vijim”,shkruhet në letrën e dërguar nga presidenti Trump.
Nga ana e saj, Vjosa Osmani ka shprehur mirënjohjen për letrën dhe vlerësimin e dhënë, duke theksuar rëndësinë e marrëdhënieve të forta mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara. Ajo ka nënvizuar se kjo lidhje do të mbetet e qëndrueshme dhe se bashkëpunimi mes dy vendeve do të vijojë edhe në të ardhmen.
“Lidhjen e fortë të Kosovës me Amerikën do ta ruajmë bashkë, sot e përherë! Falënderoj Presidentin Trump për letrën e dërguar në përfundim të mandatit tim, të cilën e pranova mbrëmë, si dhe për vlerësimin që i ka bërë punës sonë! Ashtu siç thekson edhe Presidenti i SHBA-ve në këtë letër, mirëpresim vazhdimin e bashkëpunimit në vitet në vijim”, shprehet ajo.

