KOSOVË- Qeveria e Serbisë financon me para nga buxheti i shtetit Shoqatën e Veteranëve të Beretave të Kuqe – një organizatë që mbledh ish-anëtarë të njësisë speciale të shpërbërë të Sigurimit Shtetëror të Serbisë. Disa prej pjesëtarëve të kësaj njësie kanë marrë pjesë në krime lufte dhe janë dënuar për likuidimin e kundërshtarëve politikë.
Sipas një analize të Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, vetëm përmes konkurseve të Ministrisë së Punës, Punësimit, Çështjeve të Veteranëve dhe Sociale të Serbisë, kësaj shoqate i janë ndarë 23.000 euro në dy vjetët e fundit.
Shoqata e Veteranëve të Beretave të Kuqe ka marrë fonde në të gjitha konkurset nga fusha e mbrojtjes së veteranëve, të realizuara nga Ministria e Punës që nga momenti kur në krye të saj është emëruar Millica Gjurgjeviq Stamenkovski.
Gjurgjeviq Stamenkovski është kryetare e partisë së ekstremit të djathtë “Zavetnici” dhe është bërë pjesë e pushtetit në Serbi në vitin 2024, edhe pse partia e saj nuk e ka kaluar pragun zgjedhor në zgjedhjet e asaj kohe.
Ministria e Punës nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë se për çfarë konkretisht janë shpenzuar mjetet e ndara dhe cili është interesi publik për financimin e projekteve të Shoqatës së Veteranëve të Beretave të Kuqe me para të buxhetit.

