Gazetarja e njohur e ekonomisë, Ola Xama ka reaguar sërish për propagandën e fsheshur pas ndërtimit të “Durrës Yacht Marina” për të cilën bën me dije se fasada për të mirat që ajo do i ofronte qytetit bregdetar, tashmë ka rënë e gjitha.
Në një postim të bërë në faqen e saj zyrtare të Facebook, Xama shkruan se ndryshe nga seç u prezantua në fillim se Durrës Yacht Marina do transformonte qytetin bregdetar në epiqendrën e turzimit të jahteve në Europë, projekti i cili u tha se do të realizohej nga kompania private e familjes së Mohamed Alabbar, është zëvendësuar nga ndërtimi i pallateve dhe hoteleve disakatëshe, të cilat rrezikojnë prishjen. Gazetarja bën me dije se projektimi po realizohet nga një kompani shqiptare.
“Pasi propaganda se paratë që do të financonin Durrës Marina ishin investime të huaja ra, në publik u shit fabula se projekti do të ishte ndër më të mirët sa i takon punimeve inxhinierike dhe arkitekturës, pasi vinte të ndërtonte firma e një prej drejtuesve të Emaar Group, kompani që kishte ndërtuar Burj Kalifa, Marina Dubai, Dubai Mall etj. Tashmë dhe kjo fasadë ra. Projektimi është bërë nga kompani shqiptare dhe ndërtimin po e bëjnë po ato. Nga 5 godina që po ngrihen, dy janë fundosur me disa centimetra dhe rrezikojnë prishjen” shkruan gazetarja në reagimin e saj.
Më tej, gazetarja nënvizon se se vlera e punimeve për vitin 2023 dhe 2024 është 41 milion euro, nga të cilat investimi i kompanisë Eagle Hills është 7.4 milion euro. Ndërsa thuhet se shumica e punimeve janë financuar me paratë e kontratave të shitjes përmes të cilave janë mbledhur 36 milion euro.
Mbrojtja e blerësve të apartamentëve dhe jo vetëm është zero, madje ju kushton shqiptarëve miliona euro, pasi po prishet një pasuri që vlen qindra milion euro siç është Porti i Durrësit që është financuar me paratë e vendasve, një kosto që kap shifrën 390 milion euro. Dhe e gjitha kjo po ndodh për t’i hapur rrugë realizimit të projektit nga Dubai.
“Mbrojtja për konsumatorin është zero: ai jep paratë e financimit, merr përsipër çdo risk – ndërsa investitori që ka siguruar lejen e ndërtimit vjel fitimin! Por përveç kësaj, shifrat tregojnë se historia e projektit Durrës Marina nxjerr të humbur jo vetëm ata që kanë blerë apartamente, por të gjithë qytetarët shqiptarë.
Po prishet një pasuri që vlen qindra milion euro siç është Porti i Durrësit, me paratë e taksave të shqiptarëve po financohet një projekt tjetër që kushton 390 milion euro vetëm për Fazën e Parë, që t’i hapim rrugën investimit 13.3 milion euro (bashkë me kapitalin që ka shtuar në 2025-n) të kompanisë nga Dubai, Eagle Hills Real Estate” shton më tej Xama.
Në përmbyllje të reagimit të saj, edhe pse ndërtesat në fjalë rrezikojnë prishjen gazetarja nxjerr në pah se çmimi i apartamenteve pas përfundimit total të projektit pritet të rritet me dyfish, nga çmimi fillestar afro 1500 euro/m2, Xama shkruan se pas 20 vitesh blerësi duhet të paguajë 2185 euro/m2.
“Pas 20 vitesh, kur planfikohet të përfundojë projekti, çmimi i shitjes arrin në 2185 euro/m2. Kjo është vlera që vetë kompania beson se do të kushtojnë njësitë në atë projekt. Nëse dikush vendos që të blejë një banesë 100 m2 në vitin e parë me çmim 1500 euro/m2 do të paguajë 150 mijë euro.
Nëse e shet këtë njësi pas 20 vitesh, sipas çmimeve të vlerësuara nga kompania, do ta shesë me 2185 euro/m2 dhe do të marrë 218.500 euro. Në fund fiton 68.500 euro. E njëjta shumë po të investohej në obligacione të cilat sot kanë një normë interesi 4.72%, do të shkonte në fund të periudhës 20 vjeçare 291.600 euro. Fitimi neto do të ishte 141.600 euro, dy herë më e lartë se investimi në blerjen e apartamentit” përmbyll reagimin e saj Ola Xama.

