Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka aprovuar kalendarin dhe buxhetin për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit, të tretat brenda 16 muajsh, duke përcaktuar edhe një fushatë zgjedhore të shkurtër, që zgjat vetëm 10 ditë.
Vendimi u mor në mbledhjen e së premtes, ku u bë e ditur se për organizimin e zgjedhjeve janë ndarë rreth 10 milionë e 800 mijë euro. Fushata zgjedhore do të nisë më 28 maj dhe do të zgjasë 10 ditë e 7 orë, deri në përfundim të saj një ditë para votimit.
Sa i përket procedurave, aplikimet për certifikimin e partive politike dhe iniciativave qytetare do të pranohen nga 2 deri më 10 maj. Ndërsa subjektet e certifikuara do të dorëzojnë listat e kandidatëve nga 2 deri më 12 maj. Më 16 maj do të hidhet shorti për renditjen e partive në fletëvotim, ndërsa deri më 8 maj pritet të emërohen anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.
Lista e qendrave të votimit do të publikohet më 5 maj. Për votuesit jashtë Kosovës, regjistrimi do të bëhet nga 6 deri më 17 maj, ndërsa votimi me postë do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor. Votimi në përfaqësitë diplomatike është paraparë të mbahet më 6 qershor, nga ora 07:00 deri në 19:00.
Brenda vendit, qytetarët do të kenë kohë nga 6 deri më 18 maj për të kundërshtuar apo korrigjuar listën e votuesve.

