Partia Demokratike do t’i nënshtrohet një procesi të brendshëm zgjedhor, i cili do të kulmojë me mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 6 qershor. Kryesia përcaktoi afatet e procesit, ku deri më datë 30 prill duhet të jetë përmbyllur zgjedhja e kryetarëve në rreth 50 degë të PD-së në të gjithë vendin. Që prej rikthimit të Sali Berishës në krye të partisë, ky është procesi i parë zgjedhor që kryedemokrati zhvillon nën logon e PD-së, pasi 4 vite më parë procesi u zhvillua nën siglën e Komisionit të Rithemelimit dhe nën përplasjen Basha-Berisha. Në rreth 15 degë janë zgjedhir drejtuesit e ri, pas vakancave që ishin krijuar për shkak të dorëheqjeve, por edhe procesit të primareve.

Vendimmarrjet e Kryesisë do të duhet të vulosen nga Këshilli Kombëtar i PD-së, për t’i hapur më pas rrugë edhe procesit më të rëndësishëm për demokratët, zgjedhjen e drejtuesit të partisë, garë që do të zhvillohet më 23 maj, pasi Sali Berishës i mbaron mandati i kryetarit. Pritet të shihet se kush do të jenë emrat që do të garojnë përballë Berishës dhe nëse Ervin Salianji, i cili ka dalë kundër kupolës drejtuese të PD-së, do të përfshihet në këtë garë.

