Nevoja që Prokuroria e Posaçme të mos pengohet në hetimin e rasteve të korrupsionit, ishte emëruesi i përbashkët deklaratave të Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadave të dy vendeve anëtare, Gjermanisë dhe Hollandës si dhe asaj të Britanisë së Madhe, që shoqëruan votimin e se enjtes në parlament, ku me votat e shumicës u rrëzua kërkesa e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut.
Por për kryeministrin Edi Rama “shumica qeverisëse, bëri sot pa asnjë diskutim atë që do të bënte çdo parlament demokratik i Europës”, duke vënë në dukje se ndaj Ballukut nuk ka akuzë për korrupsion dhe se Spak-u është I lirë të hetojë “pa yshtjen e faktorëve të jashtëm”.

Delegacioni i Bashkimit europian ndërsa kujtonte se “angazhimi ndaj sundimit të Ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë me rëndësi të madhe për procesin e anëtarësimit në BE”, vuri në dukje se “sigurimi i një mjedisi të favorshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”.
Thuajse në të njejtën linjë, por pak më të drejtpërdrejta, ishin dy vendet e anëtare, Gjermania dhe Hollanda që reaguan veçmas por me të njejtin tekst: “Ne presim qartë që, në raste të tilla, sistemi i drejtësisë të jetë në gjendje të veprojë me shpejtësi dhe pa pengesa. Politika shqiptare mbetet përgjegjëse për të siguruar këtë proces”.

Me herët, para se të votohej në parlament, ambasada britanike kishte theksuar se “ndërsa imuniteti parlamentar duhet të mbrojë proceset demokratike, ai nuk duhet të jetë pengesë për llogaridhënie të barabartë para ligjit”.
Kryeministri Edi Rama, qartazi nuk u pajtua me këto qëndrime. Në krye të reagimit në platformën ‘X’, ai shprehet se bie dakort 100 për qind, por vetëm mbi parimet e ngritura e jo për çështjen.

