Kryeministri Edi Rama vizitoi “Vilën 31″ ku një ditë më parë u hodhën bomba molotov dhe fishekzjarre nga protestuesit. Në godinë ndodheshin edhe artistët e huaj. Rama shkoi të shihte nga afër jo vetëm dëmet e shkaktuara nga protestuesit, por edhe për të biseduar me artistët. Kryeministri u largua pas 20 minutash.

Në këtë vilë që sot shërben si qendër kulture me emrin ArtExplora, strehohen artistë nga e gjithë bota. Artistët alternohen çdo tre muaj. Në këtë periudhë janë të paktën 8 të tillë, nga 6 vende të ndryshme të botës, që banojnë e punojnë në këtë rezidencë. Në momentin e sulmit nga molotovët, i cili ishte edhe përmbyllja e protestës së PD, ndodheshin 7 artistë brenda godinës dhe 3 persona të tjerë, pjesë e stafit, të cilëve iu rrezikua seriozisht jeta. Artistët u terrorizuan, ndërsa vetë policia nuk e kishte parashikuar dot këtë skenar dhe nuk kishte marrë masa. Me ndihmën e tyre, artistët arritën të dilnin pa lëndime.
Ndërkohë kryeministri Edi Rama pasi ka dalë nga rezidenca e artistëve në vilën e ish-diktatorit Enver Hoxha, është shprehur se artistët ishin të traumatizuar nga sulmet e mbrëmjes së djeshme me molotovë nga militantët e Sali Berishës. Përmes një postimi në rrjetin social ‘X’, Rama është shprehur se gjykatat që i lirojnë militantët e dhunshëm të Berishës, janë përgjegjës për këto vandalizma që sipas tij nuk ndodhin askund në Europë.
