Aktualitet Lajme Politike

“Ngërçi” me zgjedhjet për president në Kosovë, DASH: Bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin te institucionet

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin nga afër zhvillimet e fundit në Kosovë, ndërsa shprehin shqetësim për vazhdimin e bllokadës politike në vend.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se “bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në institucionet e Kosovës”.

“Ne po i ndjekim nga afër zhvillimet. Do të donim t’i shihnim të gjitha grupet politike të bashkëpunojnë për interesat më të mira të popullit të Kosovës”, tha zëdhënësi.

Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor.

Ato u shpallën pasi Kuvendi u shpërnda automatikisht këtë javë, për shkak të dështimit për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e akuzoi opozitën për bojkotim të qëllimshëm të seancave, ndërsa partitë opozitare e fajësuan pushtetin për mungesë bashkëpunimi dhe për tentim të përqendrimit të pushtetit në një dorë të vetme.

Legjislatura e dhjetë, e dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, zgjati më pak se tre muaj.

Ato zgjedhje u mbajtën pas një krize të zgjatur politike që nisi pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025, kur Kuvendi nuk arriti të konstituohej për muaj të tërë dhe përpjekjet për formimin e Qeverisë përfunduan pa sukses.

Analistët paralajmërojnë se Kosova rrezikon të përballet me një skenar të ngjashëm me atë të Bullgarisë, e cila në pesë vjetët e fundit ka kaluar nëpër shtatë cikle zgjedhjesh të njëpasnjëshme, pa arritur stabilitet institucional.

Ata shtojnë se kriza ndikon edhe në ritmin e vendimmarrjes shtetërore dhe sjell barrë të konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit.

You may also like

Lajme

Britaniku bleu tankun për 45 mijë euro duke mos e ditur se brenda kishte diçka më të çmuar – ar në vlerë prej 2.5 milionë

Një burrë që bleu një tank u habit kur zbuloi se kishte blerë më shumë sesa kishte pritur fillimisht. Në
Lajme

Nëntë veteranët e Kuvendit, u zgjodhën deputetë për të shtatën herë

Në Kuvendin e Kosovës që doli nga zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025, janë 9 deputetë që kanë arritur