Greqia do pushojë së qeni vendi më i zhytur në borxhe në eurozonë deri në fund të këtij viti, pasi borxhi i saj publik do bjerë nën atë të Italisë, sipas dy burimeve dhe të dhënave nga plani buxhetor i Italisë.
Borxhi i Greqisë pritet të bjerë në rreth 137% të prodhimit të brendshëm bruto këtë vit, nga 145.9% në vitin 2025, thanë për Reuters dy zyrtarë të lartë.
Në kontrast, Italia pret që borxhi i saj të arrijë kulmin në 138.6% në vitin 2026, duke u rritur me 1.5 pikë përqindje nga 137.1% e PBB-së në vitin 2025, sipas planit shumëvjeçar buxhetor të publikuar këtë javë nga Thesari.
Duke folur në kushte anonimiteti, të dy zyrtarët thanë se Greqia do pushojë së qeni vendi më i zhytur në borxh në eurozonë që nga ky vit.
Ata shtuan se vlerësimi i ri për raportin e borxhit të Greqisë do përfshihet në planin fiskal shumëvjeçar të vendit që do t’i dorëzohet Komisionit Evropian në fund të këtij muaji.
Sipas planit buxhetor të Italisë, borxhi i saj do mbetet afërsisht i qëndrueshëm në 138.5% në vitin 2027, përpara se të bjerë në 137.9% në vitin 2028 dhe në 136.3% një vit më pas.

