Partia Demokratike duket se është futur në një periudhë të rëndësishme, pasi hapja e garës për kreun e PD-së ka bërë që kundërshtarët e Sali Berishës të konfirmojnë publikisht se do të garojnë për postin e kryedemokratit.
Mësohet se të hënën, në selinë e PD-së, do të zhvillohet një mbledhje e drejtuesve politikë dhe koordinatorëve të qarqeve, ku pjesëmarrës do të jetë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha.
Bëhet me dije se takimi do të zhvillohet në kuadër të procesit të brendshëm organizativ dhe të zgjedhjeve në PD. Po ashtu, në këtë takim do të diskutohet edhe strategjia e vijimit të protestave, të cilat pritet të vazhdojnë, duke iu referuar deklaratave të fundit të Berishës.
Kujtojmë që më 23 maj të këtij viti, Partia Demokratike do të zhvillojë zgjedhjet për kryetar, ku përveç Sali Berishës kanë shpallur kandidaturën edhe Ervin Salianji, Evi Kokalari dhe Alesia Balliu.

