Shoqëria ndërtuese “Arlis” ka reaguar zyrtarisht për zjarri që shpërtheu dje në një nga kullat e banimit te zona e njohur si “5 Maji”, duke u zotuar se do të marrë përsipër, me shpenzimet e veta, të rindërtojë fasadën e pallatit dhe të gjitha apartamentet e dëmtuara.
Një mesazh shprese për banorët e prekur, në këto momente të vështira ku i gjithë mundi i jetës është shkrumbuar përpara syve, se ata nuk do të paguajnë asgjë, sepse shoqëria “Arlis Ndërtim” do i rëndërojë dhe do ua dorëzojë sërish apartamentet me çelësa në dorë.
“Shoqëria “Arlis Ndërtim” shpk pavarësisht se nuk mbart asnjë përgjegjësi ligjore, por në kuadër të përgjegjësisë sociale si kompani, si dhe angazhimit të saj për të qenë pranë njerëzve që e kanë besuar dhe banorëve të prekur, merr përsipër me shpenzimet e saj, rindërtimin e plotë të fasadës së pallatit të dëmtuar nga zjarri si dhe rindertimin e të gjithë apartamenteve të dëmtuara duke i kthyer në gjendjen fillestare, pra në të njëjtat kushte që banorët e kanë marrë apartamentin me çelësa në dorë në momentin e dorëzimit. Ky angazhim synon të kontribuojë në rikthimin sa më të shpejtë të kushteve normale të jetesës dhe në minimizimin e pasojave të kësaj ngjarjeje”, thotë deklarata.
Gjithashtu, shoqëria “Arlis Ndërtim” thekson se mbetet e hapur për bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe grupet e ekspertëve për të sqaruar çdo rrethanë të ngjarjes dhe për të garantuar transparencë të plotë ndaj të prekurve, institucioneve ligjzbatuese si dhe publikut.
“Njëkohësisht, ritheksojmë angazhimin tonë të vazhdueshëm për të ndërtuar me cilësi, siguri dhe përgjegjësi”, vijon deklarata, ndërsa në funksion të transpraencës dhe sqarimit të opinionit publik, “Arlis Ndërtim” bën me dije se:
“Në funksion të transparencës me opinionin publik, dëshirojmë të sqarojmë se objekti është ndërtuar në përputhje të plotë me lejen e ndërtimit të miratuar nga autoritetet përkatëse, pa asnjë shtesë katesh apo devijim nga projekti i aprovuar, pervec sistemimeve anësore siç janë verandat, të cilat gjithashtu janë miratuar nga organet kompetente. Të gjitha punimet janë realizuar duke respektuar standardet më të larta të ndërtimit dhe sigurisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Për më tepër, këto punime janë kontrolluar dhe certifikuar nga organet kompetente, duke garantuar përmbushjen e të gjitha kërkesave teknike dhe ligjore.
Dëshirojmë të theksojmë gjithashtu, që për të gjitha punimet e fasadës për objektin në fjalë, shoqëria ka lidhur marrëveshjet respektive me shoqëri tregëtare, të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, të cilët janë zotuar dhe kanë marë përsipër të kryejnë me përgjegjesi të plotë ligjore shërbimet e ofruara dhe të kontraktuara.
Në çdo rast shoqëria “Arlis Ndërtim” shpk ka kërkuar para nënshkrimit të kontratës dhe posedon të gjitha çertifikimet e materialeve sipas standarteve europiane dhe legjislacionit në fuqi, të cilat na janë vënë në dispozicion nga kontraktorët që kanë kryer këto punime.
Për objektin në fjalë është bërë kolaudimi, çertifikimi si dhe të gjitha procedurat ligjore që prej vitit 2021, duke e dorëzuar me përpikmëri dhe në mënyrë të rregullt tek banorë, në përputhje të plotë me procedurat dhe aktet ligjore në fuqi, çka konfirmon se shoqëria “Arlis Ndërtim” shpk ka përmbushur të gjitha detyrimet e saj kontraktuale dhe ligjore.”

