Presidenti amerikan Donald Trump tha gjatë një interviste për Financial Times se mund të “marrë naftën në Iran” dhe ndoshta të pushtojë qendrën kryesore të karburantit të vendit, Ishullin Kharg.
“Të jem i sinqertë me ju, gjëja ime e preferuar është të marr naftën në Iran, por disa njerëz budallenj në SHBA thonë: ‘Pse po e bëni këtë?’ Por ata janë njerëz budallenj. Ndoshta e marrim Ishullin Kharg, ndoshta jo. Kemi shumë mundësi”, tha Trump teksa shtoi se ‘kjo do të thoshte gjithashtu se do të duhej të qëndronim atje [në Ishullin Kharg] për një farë kohe.
Teksa u pyet për mbrojtjen iraniane në ishull, ai tha: “Nuk mendoj se ata kanë ndonjë mbrojtje. Mund ta marrim shumë lehtë.”
Komentet e presidentit vijnë teksa 3,500 trupa të tjera amerikane mbërritën në Lindjen e Mesme, ndërsa rritet frika se përshkallëzimi i mëtejshëm mund t’i ekspozojë forcat amerikane ndaj sulmeve iraniane. Trump shtoi se bisedimet indirekte midis SHBA-së dhe Iranit nëpërmjet “emisarëve” pakistanezë po përparonin, por nuk pranoi të komentonte nëse një marrëveshje armëpushimi mund të arrihej së shpejti.
Në ditën e 31-të luftës qeveria spanjolle ka mbyllur hapësirën ajrore për avionët e përfshirë në operacionin ushtarak të SHBA-ve dhe Izraelit kundër Iranit. Sipas disa mediave spanjolle, me këtë kufizim Spanja jo vetëm ndalon përdorimin e bazave ushtarake të Rota-s dhe Moron-it, por gjithashtu pengon avionët e lidhur me ofensivën ndaj Iranit të fluturojnë mbi hapësirën ajrore spanjolle. Ky ndalim nuk vlen vetëm për nisjet nga territori spanjoll, por edhe për fluturimet e avionëve ushtarakë që vijnë nga bazat në Mbretërinë e Bashkuar ose në Francë.

