Shoqata e Gjyqtarëve të Futbollit të Kosovës ka reaguar ashpër ndaj deklaratave dhe akuzave të vazhdueshme nga klubet kosovare, duke i cilësuar ato si presione të papranueshme ndaj gjyqtarëve dhe frymës së “fair-play”-it.
Përmes një komunikate zyrtare të publikuar nga Federata e Futbollit e Kosovës, Shoqata theksoi se deklaratat me insinuata, gjuhë denigruese dhe presion publik ndaj referëve janë në kundërshtim me etikën sportive dhe nuk do të tolerohen më.
“Njoftojmë se deklaratat denigruese, fyese dhe jo sportive do t’i adresojmë në organet kompetente të FFK-së për trajtim sipas procedurave”, thuhet në reagim.
Shoqata rikujtoi se gjyqtarët janë autoritet i pavarur në fushë dhe se performanca e tyre vlerësohet vetëm nga komisionet kompetente të FFK-së, e jo përmes presionit publik apo mediave.
Ky reagim vjen pas tensioneve të shumta në futbollin kosovar gjatë javëve të fundit, ku vendimet e arbitrave kanë shkaktuar polemika të mëdha në Superligë dhe sidomos në finalen e Kupës së Kosovës mes Ferizajt dhe Dukagjinit.
Në deklaratë u paralajmërua gjithashtu se çdo tentativë për të ndikuar në integritetin dhe vendimmarrjen e gjyqtarëve do të trajtohet seriozisht dhe mund të pasohet me masa disiplinore apo ndjekje ligjore.

