TIRANË- Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur ish-kryeministrit grek Alexis Tsipras lidhur me reagimet për protestën dhe dhunën e ndodhur në Zvërnec. Me anë të një postimi në X, Rama e ka cilësuar të papranueshme përpjekjen për ta kthyer një ngjarje të izoluar në një çështje me përmasa politike dhe ndëretnike.

Rama thekson se incidenti i dhunës nuk ndodhi gjatë një proteste të zakonshme për të drejtat e pronësisë, por në një klimë tensioni të lartë, të nxitur nga dezinformimi. Në fund, Rama shton se angazhimi i Shqipërisë për sundimin e ligjit, mbrojtjen e pronës dhe të drejtat e pakicave kombëtare është detyrim kushtetues dhe pjesë e përkushtimit evropian të vendit.
Nje pjese nga postimi:
I dashur Tsipras, Uroj të jesh mirë! Ndjesë për shqetësimin, por doja të ndaja habinë time për mënyrën se si, kaq shpejt, edhe partia jote e re ka kontribuar në shndërrimin e një incidenti krejtësisht të izoluar në një çështje me peshë më të gjerë politike, duke shpërfillur faktet e konfirmuara dhe duke vënë theksin mbi gjysmë të vërteta, të cilat shpesh janë forma më mashtruese e pavërtetësisë, sidomos kur marrin edhe ngjyrime nacionaliste! Incidenti fatkeq, në Zvërnec nuk ndodhi gjatë një proteste normale për të drejtat e pronës. Ai ndodhi në një klimë tensioni të shtuar, të ushqyer nga dezinformim i gjerë, i shoqëruar me përpjekje të përsëritura për të penguar aktivitetin e ligjshëm të investitorëve privatë ndërkombëtarë me reputacion të lartë, që operojnë në tokë private, të cilën e kanë blerë nga pronarë të ligjshëm me tituj të vlefshëm pronësie, në përputhje të plotë me ligjin – shkruan nder te tjera kryeministri.

Çfarë ndodhi në protestën e Zvërnecit?
Dy ditë më parë në fshatin Zvërnec u zhvillua një protestë kundër një projekti turistik që po ndërtohet pranë zonës së mbrojtur të lagunës së Nartës. Banorë, aktivistë mjedisorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile kundërshtuan punimet, duke pretenduar se po dëmtohet ekosistemi dhe një zonë me rëndësi të veçantë natyrore. Gjatë protestës pati përplasje mes protestuesve dhe rojeve private të kontraktuara për sigurinë e kantierit. Në pamjet e publikuara në media u panë roje private të maskuara që përdorën spraj me piper dhe dhunë fizike ndaj disa protestuesve. Një protestues u tërhoq zvarrë nga rojet, ndërsa një grua raportohet se humbi ndjenjat gjatë tensioneve. Pas reagimeve të forta publike, policia nisi hetime ndaj dy punonjësve të sigurisë private dhe njëri prej tyre u arrestua.

