Policia italiane ka arrestuar një 36-vjeçar shqiptar, i cili dyshohet se i ka vënë flakën apartamentit të ish-partneres së tij duke përdorur lëndë të ndezshme, pas një grindjeje. Ngjarja ka ndodhur disa ditë më parë në “Corso Ho Chi Minh”, siç është raportuar nga departamenti i zjarrfikësve.
Flakët kanë shkaktuar dëme të mëdha edhe në infrastrukturën përreth, duke shkatërruar plotësisht apartamentin e gruas. Sipas raportimeve, të dy kanë mbetur të lënduar dhe janë transportuar në Spitalin Guzzardi, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën, pavarësisht djegieve në pjesë të ndryshme të trupit dhe helmimit nga monoksidi i karbonit. Autori i dyshuar, pas daljes nga spitali është dërguar në burgun e Raguzës, ku po mbahet në dispozicion të autoriteteve gjyqësore. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur si pasojë e konflikteve të vazhdueshme mes tyre dhe ndarjes së fundit, të cilën ai nuk e kishte pranuar.

