Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar ndaj çmimeve të larta të biletave për Kupën e Botës 2026, duke kritikuar publikisht tarifat që po qarkullojnë për ndeshjet e turneut.
Në një intervistë për “New York Post”, Trump u shpreh i habitur me faktin se çmimet për ndeshjen hapëse mes SHBA-së dhe Paraguajit arrijnë deri në 1000 dollarë.
“Nuk isha në dijeni të asaj shifre. Për të qenë i sinqertë, as unë nuk do ta paguaja atë shumë”, deklaroi presidenti amerikan.
Trump shtoi se do të kërkojë më shumë informacione për situatën, duke theksuar se tifozët e zakonshëm po e kanë gjithnjë e më të vështirë të jenë pjesë e atmosferës së Botërorit.
“Do të më pëlqente që njerëzit që më kanë votuar të kishin mundësi të ishin aty”, tha ai, duke iu referuar klasës punëtore amerikane.
Megjithatë, Trump nënvizoi se pavarësisht polemikave për biletat, interesi për Kupën e Botës 2026 mbetet jashtëzakonisht i madh dhe turneu pritet të jetë një sukses i madh organizativ dhe financiar për FIFA-n.

