Aktualitet Lajme Politike

“Për çfarë po protestohet?” Rama për Zvërnecin: Shqipëria është e shqiptarëve, po bien pre e manipulimeve dhe pseudomyslimanëve pa Kuran

Edi Rama

 

Kryeministri Edi Rama është ndalur sërish te debati i krijuar rreth projektit që pritet të zhvillohet në Zvërnec, duke i cilësuar reagimet dhe protestat kundër tij si të nxitura nga dezinformimi dhe manipulimi.

Gjatë fjalës së mbajtur para socialistëve të Beratit, kreu i qeverisë theksoi se pretendimet për rrezikimin e biodiversitetit dhe heqjen e statusit të mbrojtur të zonës nuk qëndrojnë. Sipas tij, Zvërneci ka qenë dhe mbetet një peizazh i mbrojtur, ndërsa ata që sot ngrejnë akuza ndaj qeverisë po injorojnë faktin se ishte pikërisht Partia Socialiste ajo që zgjeroi ndjeshëm sipërfaqen e zonave të mbrojtura në vend.

Rama u shpreh se debati i vërtetë nuk lidhet me mbrojtjen e natyrës, por me modelin e zhvillimit që do të ndjekë Shqipëria në vitet e ardhshme. Ai nënvizoi se investimi i planifikuar në Zvërnec synon të sjellë turizëm elitar dhe përfitime ekonomike për të gjithë zinxhirin e biznesit lokal, nga bujqësia te shërbimet.

“Ka një protestë në Tiranë? Për çfarë protestohet? Protestohet për të mbrojtur natyrën, por kush e ka kërcënuar natyrën? Protestohet për të mos lejuar shkatërrimin e biodiversitetit, por kush e ka vënë në rrezik? Protestohet sepse është hequr nga zona e mbrojtur Zvërneci, por kush e ka hequr? Dhe kur ka qenë zonë e mbrojtur dhe çfarë zone e mbrojtur ka qenë? Zvërneci ka qenë zonë e mbrojtur e kategorisë së pestë dhe kështu është edhe sot dhe kështu do të jetë edhe nesër.

Protestohet për çfarë? Debati real sot nuk është a do të mbrohet apo jo biodiversiteti, sepse kjo është pjesë e pandashme e detyrave dhe punës sonë si qeveri në raport me çdo lloj investitori. Debati sot nuk është a do hiqet apo do të rrijë ajo zonë si peizazh i mbrojtur, sepse ajo ka qenë, është dhe do të jetë peizazh i mbrojtur. Debati sot është më i thjeshtë, por edhe më i thellë se kaq. Çfarë Shqipërie do të zhvillojmë ne dhe çfarë Shqipërie do të kemi ne pas 5 apo 15 vitesh dhe si do ta rrisim ne Shqipërinë ekonomikisht, prodhimin e përgjithshëm kombëtar të Shqipërisë, nëse ne industrinë tonë kryesore e kemi turizmin dhe turizmi është një industri e cila zhvillohet pikërisht nga ato vende që kanë respekt për natyrën, për mjedisin dhe nxjerrin mësime nga gabimet e shkuara.

Por nëse ne mendojmë që do të rrisim pagat, pensionet, konsumin, zinxhirin e vlerës në territoret tona pa rritur cilësinë e turizmit, ne mendojmë gabim. Nëse ne mendojmë se do të përqendrohemi dhe do të vazhdojmë me investimet e vogla, copa-copa vetëm, dhe me hotelet që sjellin vetëm turizmin masiv, i cili ka qenë shumë i mirë për ne në këtë periudhë, por nuk është i qëndrueshëm, atëherë ne mendojmë gabim”, tha kryeministri Edi Rama, duke hedhur më tej poshtë të gjitha pretendimet që lidhen me shitjen e territorit apo me teoritë e përhapura në rrjetet sociale, duke i cilësuar ato si manipulime të qëllimeshme.

Sipas tij, projekti ende nuk është përfunduar dhe po hartohet nga studio ndërkombëtare prestigjioze, ndërsa çdo hap do t’i nënshtrohet standardeve të rrepta mjedisore përpara se të marrë lejen përfundimtare të ndërtimit.

“Studimi mjedisor po bëhet nga një prej studiove më prestigjioze në botë, se e kemi kërkuar ne, dhe pa të gjitha këto nuk ka leje ndërtimi, leja e zhvillimit është e para për konceptin e përgjithshëm dhe për të gjitha porositë”, tha Edi Rama.

You may also like

Lajme

Britaniku bleu tankun për 45 mijë euro duke mos e ditur se brenda kishte diçka më të çmuar – ar në vlerë prej 2.5 milionë

Një burrë që bleu një tank u habit kur zbuloi se kishte blerë më shumë sesa kishte pritur fillimisht. Në
Lajme

Nëntë veteranët e Kuvendit, u zgjodhën deputetë për të shtatën herë

Në Kuvendin e Kosovës që doli nga zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025, janë 9 deputetë që kanë arritur