Më shumë se çdo i treti i burgosur në Kosovë është nën moshën 30-vjeçare.
Të dhënat, të publikuara në fund të prillit në kuadër të Indeksit të Pjesëmarrjes së Rinisë, tregojnë se Kosova ka përqindjen më të lartë të të rinjve në shërbimin korrektues në të gjithë rajonin.
Një vit më herët, Kosova ishte e dyta, pas Shqipërisë.
Për Ferid Murselin nga organizata Demokracia për Zvhillim (D4D) – që grumbulloi të dhënat zyrtare për Kosovën për këtë raport – këto shifra nuk tregojnë vetëm për sistemin penal.

“Në vendin tonë, çdo ditë themi që ‘ky vend ka rini’, ‘rinia është e ardhmja’, por në fakt kjo tregon saktë se ku qëndron rinia, qoftë në dimensionin politik, social ose ekonomik”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
“Burgjet po reflektojnë një problem më të thellë social”
Përveç shkallës së lartë të të rinjve në burgje, Kosova renditet dobët edhe në tregues të tjerë që lidhen me jetën e të rinjve.
Rreth 35 për qind e të rinjve në Kosovë janë jashtë arsimit, punës dhe trajnimeve – niveli më i lartë në rajon.
Kosova ka, po ashtu, shkallën më të ulët të pjesëmarrjes së të rinjve në fuqinë punëtore.


