Vendimarrja për nisjen e anëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës drejt misionit ndërkombëtar në Gaza, në kornizën e marrëveshjes së Bordit të Paqes nuk do të merret nga institucionet e Kosovës. Sipas ish-komandantit të FSK-së, Kadri Kastrati, vendimarrja i takon Shteteve të Bashkuara dhe përkatësisht gjeneralit amerikan të Forcës Stabilizuese që do ta udhëheqë operacionin.
Gjatë një interviste, Kastrati tha se SHBA-të do të sigurojnë mbështetje logjistike për këtë mision duke qenë se kapacitetet e Kosovës për transport dhe organizim të një operacioni të tillë janë të kufizuara. Sidoqoftë, duke qenë se FSK janë trajnuar nga NAT0, sipas Kastratit, janë të përgatitura.
“Nuk varet prej Kosovës kur janë me u nis, varet nga gjenerali amerikan atje, ai do të ftojë forcat dhe sigurisht se kur do të duhet të zbarkojë aty. Kjo varet nga Amerika sepse do të jemi në mbështetje logjistike të amerikanëve, sepse ne nuk kemi mundësi t’i bartim gjithë këta njerëz e mjete që janë të nevojshme për këtë operacion. Amerika do të ofrojë mbështetje logjistike. Kjo varet nga planifikimet atje. Edhe për kohëzgjatjen varet se sa do të kërkojë gjenerali amerikan. Mendoj se FSK është përgatitur me standard të NATO-s, partneri ynë strategjik është ShBA, në veçanti sigurisht që SHBA e ka komandën në Gaza, dhe sigurisht një trajtim, ia kushtojnë kësaj. Edhe ato e përcjellin këtë operacion. Edhe pse janë forca ndërkombëtare atje, edhe mund të ballafaqohet edhe me raste ekstreme. Do të thotë, në përgjithësi, forcat tona janë të përgatitura” tha ai.

