Raporti vjetor i vitit 2025 i Strukturës e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar evidenton se korrupsioni në nivele të larta dhe krimi i organizuar mbeten sfidat kryesore për Shqipërinë. Sipas raportit, grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë të përfshira në rrjete ndërkombëtare, veçanërisht në trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe aktivitete të tjera të paligjshme që shtrihen përtej kufijve të vendit. Në raport thuhet se “gjatë vitit 2025, vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara është rreth 45.4 milionë euro, prej të cilave rreth 43.49 milionë euro, është vlera e aseteve të sekuestruara (rreth 96% e totalit) dhe rreth 1.91 milionë euro përfaqësojnë vlerën e aseteve të konfiskuara (rreth 4% e totalit). Në vlerën e aseteve të sekuestruara përfshihet dhe sekuestrimi i kriptovalutave të llojit TETHER, USDT, me vlere ekuivalente prej 14.5 milionë dollarë ose rreth 12.4 milionë euro (vendimi nr.583, date 04.09.2025).
Vlera e pasurive të sekuestruara për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar është rreth 42.4 milionë euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara për këtë kategori veprash penale është rreth 1.8 milionë euro. Sa i përket çështjeve që lidhen me zyrtarët e lartë, vlera e pasurive të sekuestruara është rreth 1.1 milion euro, ndërkohë që vlera e pasurive të konfiskuara është rreth 100,000 euro.

