Një përplasje që nisi në një kafene në qendër të Skënderajt po trazon politikën e së enjtes në Kosovë. Akuza për dhunë fizike, “bandë”, provokim politik dhe ndërhyrje truprojash kanë shpërthyer sot mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryetarit të Skënderajt, Sami Lushtaku. Në qendër të incidentit është Hysni Mehani, kryetar i VV-së në Skënderaj dhe zëvendësministër i Financave, i cili pretendon se është sulmuar fizikisht nga Lushtaku dhe shoqëruesit e tij në kafeterinë “Solo”.
“Të dashur miq jam sulmuar nga Sami Lushtaku dhe banda e tij. Telefonin personal ma kanë marrë. Lus policinë të mbrojë familjen time dhe ftoj familjarët për përmbajtje ”, shkroi Mehani në rrjete sociale.
Pak më vonë reagoi edhe Vetëvendosje, e cila publikoi foton e Mehanit ku ai duket i përgjakur dhe e përshkroi ngjarjen si “sulm brutal”. Sipas versionit të partisë, Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të VV-së kur fillimisht është goditur me grusht dhe më pas me gotë në kokë.

