Në një reagim në rrjetet sociale, Hasimja shprehet se molotovët në protesta garantojnë tituj lajmesh ndërkombëtare, por rrezikojnë të ftohin qytetarin jopartiak. Megjithatë, negociatori i bashkimit të partive opozitare shton se kjo rrugë i mbetet opozitës që pengohet të flasë në Kuvend apo në komisione hetimore parlamentare.

“Së pari, nuk shoh asnjë qëllimshmëri të dëmtimit të njerëzve apo pronës nga protestuesit.
Së dyti, kur i mohon opozitës mundësinë të flasë në Kuvend, ose mundësinë për komisione hetimore parlamentare, kur përdor adminstratën dhe krimin në zgjedhje, kur pengon drejtësinë dhe synon të ndryshosh ligjet përkatëse … çfarë pret që të ndodhë? Që opozita të organizojë sesion lutjesh në shesh?
Natyrisht edhe opozita ka plot për të bërë. Disa hapa të mirë u bënë me tryezën e parë ku morën pjesë 10 parti opozitare dhe në 6-12 muajt e ardhshëm ne jemi të bindur se do të kemi bashkëpunimin e plotë të të gjithë partive në tryezën e organizuar nga Forumi i Dialogut Politik. Në zgjedhjet e brendshme të prillit 2026 PD-ja, si partia më e madhe, ka rastin të japë prova të ndryshimit të saj pozitiv në përputhje me nevojat e situatës“-shkruan Hasimja.

