Si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Irani, kanë marrë një plan me dy faza për përfundimin e luftës, raporton Reuters. Plani vjen përmes Pakistanit, i cili është i vetmi vend që komunikon me të dyja palët në këto bisedime. Sipas raportimeve, marrëveshja përbëhet nga “dy faza”. Ajo parashikon një armëpushim të menjëhershëm, i ndjekur më vonë nga një marrëveshje më gjithëpërfshirëse. Axios ka raportuar se po bisedohet për një armëpushim 45-ditor.

Irani ka deklaruar se ka kthyer përgjigje lidhur me planin ku janë përpiluar një sërë kërkesash “të bazuara në interesat” e tij, por do të publikohet në “momentin e duhur.”
Bisedime vijnë pas një momenti të tensionuar sepse një ditë më parë, presidenti Donald Trump i vuri afat Teheranit që të hapë Hormuzin deri të martën.
Një zyrtar i lartë iranian ka përjashtuar mundësinë e rihapjes së Ngushticës së Hormuzit si pjesë e armëpushimit të përkohshëm.

Sipas Iranit, SHBA nuk është e gatshme për një armëpushim, ndërsa zëvendëspresidenti i vendit e ka akuzuar Donald Trump për “çmenduri” lidhur me raportimet për sulme të reja që synojnë një universitet në Teheran. Irani ka konfirmuar gjithashtu se shefi i inteligjencës i Gardës Revolucionare Islamike është vrarë, një akt për të cilin Izraeli ka konfirmuar autorësinë.
Nderkohe Irani ka hapur dritën jeshile për disa anije franceze e turke për të kaluar në Ngushticën e Hormuzit.

