Papa Leo ka emëruar për herë të parë një grua laike në krye të një dikasteri të Selisë së Shenjtë. Maria Montserrat Alvarado, e lindur në Mexico City dhe shtetase amerikane që prej vitit 2008, do të marrë drejtimin e Departamentit të Komunikimit të Vatikanit duke filluar nga 1 nëntori. Ajo zëvendëson Paolo Ruffinin, i cili po del në pension.
Departamenti i komunikimit, i themeluar nga Papa Françesku në vitin 2015, mbikëqyr faqen e lajmeve të Vatikanit, radion, gazetën, zyrën e shtypit, shtëpinë botuese dhe arkivin e filmave. Ky është një nga dikasterët më të fuqishëm në strukturën e kurisë romake.
Alvarado, e cila aktualisht është presidente e EWTN News në SHBA, e cilësoi emërimin si të papritur dhe shprehu dëshirën e saj për t’i shërbyer Atit të Shenjtë. Ajo falënderoi Ruffinin për udhëheqjen e tij dhe theksoi se synon të forcojë më tej misionin e komunikimit të Vatikanit.
Papa Françesku, gjatë papatit të tij emëroi disa gra në pozita të larta dhe modernizoi mënyrën e komunikimit të Vatikanit. Papa Leo, i zgjedhur në maj të vitit të kaluar dhe i pari papë i lindur në SHBA, ka treguar se dëshiron të vijojë këtë.

