Tiranë/ Opozita dhe mazhoranca do të dalin me dy raporte për rastin e Belinda Ballukut, për të cilën SPAK kërkon arrestimin. Partia Demokratike depozitoi në Kuvend paraditen e së hënës raportin e 5 anëtarëve të opozitës në Këshillin e Mandateve, përmes së cilit do të kërkojnë që SPAK t’i jepet autorizim për arrestimin e Ballukut. Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi thotë se janë pro kërkesës së SPAK dhe pro drejtësisë, duke theksuar se Balluku rrezikon deri në 35 vite burg.

“Ne jemi pro kërkesës së SPAK. Pro drejtësisë. Pro barazisë përpara ligjit. Prokuroria ka dokumentuar në mijëra faqe prova se bashkëpunëtorja e Edi Ramës, ish Zëvendëskryeministria Belinda Balluku, ka abuzuar me detyrën dhe në mënyrë korruptive ka paracaktuar garën për 11 procedura publike me vlerë 1.1 miliard euro. Sipas prokurorisë ajo i ka shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit shqiptar, dhe rrezikon deri në 35 vite burg. Po sipas prokurorisë, gjatë këtyre muajve, ajo po prish provat dhe po kërcënon dëshmitarët, përmes grupeve kriminale dhe përmes vartësve të saj.
Mirëpo, Edi Rama ka vendosur të mbrojë Belinda Ballukun, të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë korrupsionin e saj. Arsye e thjeshtë: Është vetë i përfshirë. Është peng i Belinda Ballukut, sepse është ai autori i ngritjes së sistemit korruptiv, që po vret ekonominë, tregun e lirë, që po varfëron shqiptarët dhe po i detyron të largohen nga Shqipëria”, shprehet Bardhi

