Spanja ka vendosur të mbyllë hapësirën e saj ajrore për avionët amerikanë të përfshirë në sulmet kundër Iranit. Lajmi u bë i ditur nga ministrja spanjolle e Mbrojtjes, Margarita Robles, e cila deklaroi se Madridi nuk do të lejojë përdorimin e bazave ushtarake të Morón dhe Rota për asnjë veprim që lidhet me luftën në Iran.
Sipas saj, ky qëndrim i është bërë i qartë Uashingtonit që në fillim të konfliktit. Edhe ministri i Jashtëm, José Manuel Albares, tha se qëllimi i këtij vendimi është të shmanget çdo veprim që mund të çojë në një përshkallëzim të mëtejshëm të luftës.
Administrata amerikane nuk reagoi menjëherë, por presidenti Donald Trump ka kërcënuar më herët me një embargo të plotë tregtare ndaj Spanjës për shkak të kundërshtimit të saj ndaj luftës me Iranin.
Që prej nisjes së konfliktit në fund të shkurtit, kryeministri spanjoll Pedro Sánchez është shfaqur si një nga kritikët më të ashpër të sulmeve amerikane dhe izraelite, duke i cilësuar ato si “të papërgjegjshme” dhe “të paligjshme”.
Më herët gjatë marsit, Sánchez njoftoi se Spanja kishte refuzuar përdorimin nga SHBA të dy bazave të përbashkëta ushtarake, Rota dhe Morón, të dyja të vendosura në Andaluzí. Ai deklaroi gjithashtu se të gjitha planet e fluturimit që lidhen me operacionet në Iran janë refuzuar, përfshirë edhe ato të avionëve cisternë për furnizim me karburant.
“Ne jemi një vend sovran që nuk dëshiron të marrë pjesë në luftëra të paligjshme”, u shpreh ai.
Ky vendim pritet të komplikojë logjistikën e operacioneve amerikane. Disa bombardues amerikanë që marrin pjesë në operacionet kundër Iranit ndodhen aktualisht në bazën britanike RAF Fairford, në Gloucestershire, pasi Mbretëria e Bashkuar i dha dritën jeshile kërkesës së SHBA më 1 mars. Por tani, avionët që ngrihen nga Britania do të detyrohen të shmangin pjesën më të madhe të Gadishullit Iberik dhe të fluturojnë ose mbi Atlantikun lindor, ose përmes Francës.

