Lëvizja Vetëvendosje ka konfirmuar se do të propozojë Glauk Konjufcën për President të Republikës së Kosovës. Partia e Albin Kurtit njoftoi publikisht pas disa takimesh me partitë politike se do të propozojë Ministrin aktual të Jashtëm për të zëvëndësuar Vjosa Osmanin.

Vetëvendosje në një njoftim thotë se partitë e opozitës nuk propozuan asnjë emër gjatë takimeve të ditëve të fundit dhe me dështimin për të arritur një marrëveshje, VV propozon emrin e Konjufcës për President. Partia qeverisëse në Kosovë, thotë se zgjedhjet e parakohshme nuk janë në interes të askujt, ndërsa nuk përmend në asnjë moment Vjosa Osmanin e cila kërkoi mbështetjen për një mandat të dytë.

Seanca për presidentin përcakton që të ketë të pranishëm të paktën 80 deputetë ndërsa votimi për kandidatin mund të zhvillohet në 3 raunde. Në dy raundet e para kushtetuta përcakton se kandidati votëbesohet me 80 vota ndërsa në raundin e 3-të ai mund të miratohet më një shuymicë prej 61 votash.
Vetëvendosje ka 57 deputetë në parlament dhe së bashku me pakicat joserbe në parlament, me të cilat miratoi qeverinë e re, mund të arrijë deri në 66 vota. Të mjaftueshme për të zgjedhur presidentin e ri.

