Gjykata Themelore në Prishtinë ka marrë vendimin lidhur me masën e sigurisë ndaj artistit Besart Kelmendi, i njohur për publikun me emrin artistik Gjesti. Pas dëgjimit të palëve në seancë, gjykata ka vendosur t’i caktojë atij masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.
Ndaj të pandehurit ekzistojnë dyshime të bazuara për kryerjen e veprave penale të kanosjes, dëmtimit të pasurisë, si dhe mbajtjes në pronësi apo kontroll të paautorizuar të armëve.

Në arsyetimin e vendimit theksohet se ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit, mundësinë e ndikimit mbi dëshmitarët, si dhe rrezikun e përsëritjes së veprës penale. Për këto arsye, gjykata vlerësoi se paraburgimi është masa më e domosdoshme në këtë fazë të hetimit.
Megjithatë, mbrojtja e artistit ka ende në dispozicion mjetet ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim.
Gjesti u arrestua më 11 mars 2026 në Prishtinë nën akuzën për armëmbajtje pa leje. Sipas policisë, arrestimi ndodhi rreth orës 15:00 në rrugën “Mehmet Isahi”, ku artisti u ndalua dhe më pas u shoqërua në komisariat për t’u marrë në pyetje. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit ai u dërgua në ndalim policor për 48 orë.

Një ditë më vonë, më 12 mars 2026, mediat raportuan edhe rrethanat që çuan në arrestim. Sipas burimeve, këngëtari kishte shkuar në zyrat e kompanisë muzikore Onima, ku pati një konflikt verbal me drejtuesin e saj, Erkand Shabani. Situata dyshohet se u tensionua gjatë debatit dhe raportohet se u dëmtua një kompjuter në ambientet e kompanisë, çka bëri që drejtuesit të njoftonin policinë për kanosje dhe dëmtim prone.

