Aktualitet Lajme Ndërkombëtare Politike

Kongresistët amerikanë në Ballkan, vizitë në Kosovë dhe Preshevë

Dy kongresistët amerikanë, republikani Keith Self dhe demokrati Suhas Subramanyam, do të qëndrojnë sot në Serbi, ku do të vizitojnë edhe Luginën e Preshevës, të banuar me shumicë shqiptare.

Ata do të priten nga kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Ana Bërnabiq, në Beograd, prej ku nesër do të shkojnë edhe në Preshevë.

Kryetarja e kësaj komune në jug të Serbisë, Ardita Sinani, shkroi në profilin e saj në Facebook se “Presheva mirëpret delegacionin e Kongresit amerikan”.

“Një moment historik për Luginën”, sipas saj.

Sinani tha më vonë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se para kongresistëve synon t’i theksojë disa nga problemet kryesore me të cilat përballet popullsia shqiptare në Luginën e Preshevës.

“Para së gjithash, bëhet fjalë për përfaqësimin e pamjaftueshëm institucional të shqiptarëve në institucionet shtetërore, çështjen e pasivizimit të adresave, mosnjohjen e diplomave të fituara në Republikën e Kosovës, zhvillimin e pabarabartë ekonomik, shkallën e lartë të papunësisë dhe shpërnguljen e vazhdueshme të të rinjve”, tha Sinani.

Ajo shtoi se gjithashtu do të shtjellohet edhe nevoja e zbatimit të qëndrueshëm të marrëveshjeve të arritura më herët, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e shqiptarëve në këtë rajon, si dhe çështja e bllokimit të mjeteve financiare të autoriteteve kosovare për mbështetjen e popullsisë shqiptare në Luginë.

You may also like

Lajme

Britaniku bleu tankun për 45 mijë euro duke mos e ditur se brenda kishte diçka më të çmuar – ar në vlerë prej 2.5 milionë

Një burrë që bleu një tank u habit kur zbuloi se kishte blerë më shumë sesa kishte pritur fillimisht. Në
Lajme

Nëntë veteranët e Kuvendit, u zgjodhën deputetë për të shtatën herë

Në Kuvendin e Kosovës që doli nga zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit 2025, janë 9 deputetë që kanë arritur