Një incident i rëndë ka shpërthyer në skenën e spektaklit të madh të NBA All-Star Game, duke nxitur reagime dhe polemika të forta.
Gjatë prezantimit të Nikola Jokić, në ekranin gjigant u shfaq flamuri i Serbisë i shoqëruar me një hartë ku Kosova paraqitej si pjesë e territorit serb. Pamjet u transmetuan para mijëra të pranishmëve në arenë dhe miliona shikuesve në mbarë botën.
Ky veprim është cilësuar si një provokim i radhës dhe një dështim i organizatorëve për të verifikuar materialet grafike të përdorura në një ngjarje me përmasa globale. Në një event që pretendon standarde maksimale profesionalizmi dhe përfshirjeje, publikimi i një harte të kontestuar politikisht shihet si papërgjegjshmëri serioze.
Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Federata e Basketbollit e Kosovës, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë qëndrim apo kërkesë për sqarim ndaj organizatorëve të eventit.
Ngjarja ka rikthyer në vëmendje ndjeshmërinë e lartë që lidhet me paraqitjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, veçanërisht në aktivitete me shtrirje globale si “NBA All-Star”.

