Ernest Muçi është rikthyer në fushë me Trabzonspor pas një periudhe të vështirë rikuperimi nga dëmtimi i pësuar me Kombëtaren e Shqipërisë, duke dhënë sinjale pozitive për formën e tij.
Sulmuesi shqiptar u aktivizua në ndeshjen ndaj Samsunspor, ku ishte pranë një goli spektakolar nga goditja e dënimit në minutat shtesë. Në fund, ai u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke realizuar penalltinë vendimtare dhe duke ndihmuar ekipin e tij të sigurojë kualifikimin në gjysmëfinalen e Kupës së Turqisë.
Pas ndeshjes, Muçi foli për mediat duke theksuar rëndësinë e kësaj fitoreje dhe vështirësinë e përballjes. Ai u shpreh i lumtur për suksesin e skuadrës dhe objektivin për të arritur deri në finale.
Sulmuesi 23-vjeçar ndau edhe momentet e vështira gjatë periudhës së rikuperimit, duke treguar se dëmtimi kishte qenë serioz. “Nuk mundja as të ecja për një ose dy javë, ishte shumë e vështirë për mua”, u shpreh ai.
Megjithatë, Muçi theksoi se tashmë po ndjehet më mirë dhe se po rikthehet gradualisht në ritmin e ndeshjeve. Ai shtoi se synimi i tij është të fitojë sa më shumë minuta dhe të ndihmojë ekipin në arritjen e objektivave deri në fund të sezonit.

