Java e 34-t në Abissnet Superiore solli spektakël të vërtetë, gola dhe rezultate që mund të peshojnë shumë në fatin e sezonit.
Rezultati që tronditi më shumë ishte ai në “Arenën e Demave”, ku Flamurtari dha një leksion të pastër ndaj Partizanit, duke fituar bindshëm 1-4 në transfertë.
Skuadra vlonjate dominoi me autoritet, falë një performance të shkëlqyer, ku spikatën Bolzan me dy gola, ndërsa Divara dhe Erald Maksuti vulosën triumfin. Për Partizanin, reagimi ishte i vakët, me vetëm një gol nga Bytyçi.
Ndërkohë, një tjetër përballje spektakolare u zhvillua mes Vorës dhe Elbasanit. Ndeshja përfundoi 3-2, me ritëm të lartë dhe emocione deri në fund. Daka hapi serinë e golave, ndërsa Luiz Felipe dhe Bernard Karrica siguruan fitoren. Për Elbasanin realizuan Boje dhe Bunjaku.
Dinamo vazhdon të jetë një nga skuadrat më në formë, duke mposhtur Egnatian 2-0 në “Air Albania”. Hero i ndeshjes ishte Malomo Ayodeji me dopietë, duke konsoliduar pozitat e skuadrës në renditje.
Edhe Tirana mori një fitore shumë të rëndësishme në transfertë, duke mposhtur Teutën 0-1 në “Niko Dovana”. Golin vendimtar e realizoi Rimal Haxhiu në pjesën e dytë.
Në sfidën tjetër, Bylis befasoi Vllazninë në Shkodër, duke fituar 0-2 dhe duke i shkaktuar humbje të rëndë vendasve në garën për pozita më të larta.

