Botërori 2026 Futboll Sport

Botërori i shtrenjtë, skocezët zgjedhin autobusët shkollor

Mbështetësit skocezë shmangin trenat e shtrenjtë dhe organizojnë transport privat drejt stadiumeve të Botërorit 2026.

Kupa e Botës 2026 pritet të sjellë spektakël në fushë, por për tifozët po shndërrohet edhe në një sfidë të madhe financiare.

Për shkak të kostove të larta të udhëtimit dhe akomodimit, tifozët e Skocisë kanë gjetur një zgjidhje të pazakontë për të kursyer: marrjen me qira të më shumë se 30 autobusëve të verdhë shkollorë amerikanë.

Mbështetësit e njohur si “Tartan Army” kanë vendosur të organizohen vetë, pasi çmimi i një bilete vajtje-ardhje me tren drejt stadiumit “Gillette” në Foxborough ka arritur deri në 80 dollarë për person.

Në këtë stadium, Skocia do të zhvillojë dy ndeshje të fazës së grupeve, ndaj Haitit dhe Marokut.

Për të ulur shpenzimet, shumë tifozë kanë zgjedhur të qëndrojnë në Providence të Rhode Island, ku çmimet e hoteleve janë më të përballueshme sesa në Boston.

Edhe pse parkimi i një autobusi pranë stadiumit kushton rreth 650 dollarë, tifozët besojnë se ndarja e shpenzimeve mes tyre do ta ulë koston e transportit në rreth 30 dollarë për person.

Kjo shumë është dukshëm më e ulët krahasuar me alternativat zyrtare të transportit të ofruara gjatë turneut.

Shembullin e tifozëve skocezë kanë nisur ta ndjekin edhe mbështetësit e Anglisë, të cilët po organizojnë autobusë privatë për udhëtimet drejt ndeshjeve në Boston, Nju Jork dhe Dallas.

Reagimet ndaj çmimeve të larta kanë qenë të shumta. Shoqata e Tifozëve të Futbollit e ka cilësuar situatën si “skandaloze”, ndërsa tifozë të shumtë po kërkojnë mënyra alternative për të kursyer, përfshirë fluturime me ndalesa në Islandë dhe qytete të tjera.

Botërori 2026 pritet të thyejë rekorde për numrin e tifozëve, por për shumë prej tyre sfida më e madhe duket se nuk do të jetë vetëm mbështetja e ekipit në stadium, por përballimi i kostove të larta të udhëtimit.

You may also like

Sport

Presidenti i Torinos sqaron të ardhmen e Kristjan Asllanit

Presidenti i Torinos, Urbano Cairo, ka komentuar situatën e mesfushorit shqiptar, Kristjan Asllani, duke lënë të hapur mundësinë e një
Sport

Agim Ademi Krenaria e Futbollit të Kosovës dhe e Mërgatës Shqiptare

Arritjet e Agim Ademit si Kryetar i Federatës së Futbollit të Kosovës janë dëshmi e vizionit, përkushtimit dhe punës së