Dy lojtarët kryesorë të Shkëndija, mesfushori Reshat Ramadani dhe mbrojtësi Imran Fetai, janë shumë pranë grumbullimit me Maqedonia e Veriut për dy sfidat kualifikuese të Play-Off-it për FIFA World Cup.
Drejtuesit e klubit tetovar kanë konfirmuar se forma e shkëlqyer e dy futbollistëve nuk ka kaluar pa u vënë re nga përzgjedhësi Goce Sedloski. Ramadani, i cili tashmë ka eksperiencë me përfaqësuesen A, pritet të vazhdojë rolin e tij kyç, ndërsa për Fetain bëhet fjalë për ftesën e parë në ekipin kombëtar, një moment i rëndësishëm në karrierën e tij.
Lojtarët e Shkëndijës pritet të jenë pjesë e skuadrës që më 26 mars do të përballet me Danimarkën në Kopenhagë. Ky duel është pjesë e ndeshjeve Play-Off për kualifikim në Botërorin që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Ky sezon ka qenë i jashtëzakonshëm për të dy lojtarët, të cilët kanë kontribuar fuqishëm në kampionatin vendor dhe në garat evropiane, ku Shkëndija arriti deri në fazën Play-Off të UEFA Conference League.

