Mesfushori i Milanit, Ardon Jashari, ka dhënë një intervistë për Il Foglio, ku ka zbuluar disa detaje interesante nga rutina e tij para ndeshjeve, si dhe arsyen pse mban numrin 30 në fanellë.
Futbollisti me prejardhje shqiptare theksoi se përgatitja e tij është më shumë shpirtërore sesa muzikore, duke zbuluar se dëgjimi i Kur’anit është pjesë e pandashme e ritualit të tij para çdo përballjeje.
“A kam një rutinë personale, një veprim që më sjell fat ose ndonjë list me këngë? Jo, asnjërën nga këto. Jam mysliman, dhe shpesh dëgjoj Kur’an në rrugën drejt stadiumit; më ndihmon të fokusohem shpirtërisht para se të luaj. Ngrohtësia dhe përkrahja e tifozëve tonë, posa arrijmë në ‘San Siro’ e kryejnë pjesën tjetër të punë. Dhe, sa herë e veshi fanellën e Milanit, adrenalina rritet”, u shpreh Jashari.

Ai foli edhe për zgjedhjen e numrit 30, duke treguar se inspirimi i tij ka qenë që në fëmijëri nga idhulli i tij, Lionel Messi.
“Nuk është një zgjedhje e rëndomtë. Kur isha fëmijë dhe kur luaja futboll, nuk kisha një rol të specifikuar. Shikoja Messin dhe kjo ishte e mjaftueshme për mua. Ai e kishte numrin 30, dhe mendoja se nëse ndonjëherë bëhem futbollist, do ta doja numrin e njëjtë. Kur isha në Zvicër dhe fillova të luaj si profesionist, më thanë të zgjedhja një numër, por vetëm mbi 20, andaj me shumë kënaqësi e zgjodha numrin 30. Ishte një nga kërkesat e mia të para për Milanin, ende para se ta nënshkruaja kontratën. Dërgova një mesazh duke kërkuar numrin 30, dhe ata ma plotësuan”, shtoi ai.

Ardon Jashari u transferua te Milani gjatë verës së kaluar nga Club Brugge për rreth 37 milionë euro.
Karrierën e tij e nisi në Luzern, ku u rrit në akademi dhe më pas u bë pjesë e ekipit të parë, duke regjistruar 91 ndeshje dhe 8 gola, para se të kalonte në Belgjikë dhe më pas në një nga klubet më të mëdha në Evropë.

