Shkëndija e Tetovës ka mbyllur sezonin pa trofe, pasi sonte u mposht në finalen e Kupës së Maqedonisë së Veriut nga Sileksi i Kratovës me rezultat minimal 1:0.
Skuadra kuqezi konsiderohej favorite në këtë përballje, por në fushën e lojës nuk arriti të justifikojë pritshmëritë, duke zhgënjyer tifozët në stadiumin e Shkupit. Pas humbjes së titullit kampion gjatë sezonit, Shkëndija mbeti edhe pa trofeun e Kupës, duke mbyllur një edicion larg objektivave të klubit tetovar.

Menjëherë pas ndeshjes, rrjetet sociale u mbushën me reagime të ashpra nga tifozët “Ballistë” dhe mbështetës të shumtë shqiptarë, të cilët kritikuan paraqitjen e ekipit dhe drejtimin e klubit.

Në komentet e publikuara në faqet sportive dhe profilin e klubit, tifozët shprehën zhgënjim të madh për humbjen ndaj Sileksit, duke kërkuar ndryshime dhe përgjegjësi për sezonin e dështuar. Disa prej tyre theksuan se, për fuqinë financiare dhe organizimin që ka Shkëndija, ekipi duhet të dominonte futbollin në Maqedoninë e Veriut.
“Shkëndija duhet të jetë si Bayern Munich në ligën gjermane”, ishte një nga komentet që mori vëmendje të madhe në rrjet.
Ka pasur gjithashtu kritika edhe për lojën e skuadrës në finale, ndërsa tifozët kërkojnë reagim të shpejtë nga drejtuesit për sezonin e ardhshëm.

