E ardhmja e Vinícius Júnior te Real Madrid ka hyrë në një fazë delikate. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, sulmuesi brazilian i ka bërë të qartë drejtuesve të klubit se mund të largohet nëse situata e rinovimit të kontratës nuk merr zgjidhje deri në muajin prill.
Gazeta spanjolle AS raporton se interesimi për Vinícius është i madh, me Paris Saint-Germain që po ndjek nga afër zhvillimet. Presidenti i klubit francez, Nasser Al-Khelaifi, thuhet se është shumë i interesuar për transferimin e brazilianit dhe po e shtyn aktivisht mundësinë e afrimit të tij në Paris.
Një nga pikat kryesore të mosmarrëveshjes lidhet me aspektin financiar. Vinícius raportohet se kërkon një pagë rreth 30 milionë euro në vit, shifër që mund të komplikojë negociatat me Real Madridin dhe të hapë një garë mes klubeve të mëdha europiane.
Në këtë fazë, e ardhmja e njërit prej lojtarëve më të rëndësishëm të Real Madridit mbetet e paqartë, ndërsa muaji prill shihet si vendimtar për vazhdimësinë e tij në “Santiago Bernabéu”.

